Washingtoni, po mendoja, është qytet me fizionomi klasike europiane: s’ka qiellgërvishtëse, siç është përfytyrimi i shqiptarë vetë pa dalë për Amerikën, por sheh blerime kudo, rrugë të pastra e qetësi të bardhë. Mbase këtë ndjesi ta japin Shtëpia e Bardhë, Kapitoli, Bibliotekat e famshme të Kongresit, të gjitha të bardha. Një kryeqytet që ka shumë e shumë më tepër pemë, se… policë. Se na kishin thënë ndryshe. Ja, andej plantacioni i qershive, dhuratë e qeverisé japoneze… Dhe sa shumë ketra! Ketra qytetarë!… Ndalnin, na shikonin në sy, s’kishin frikë nga njerëzit, madje prisnin t’u jepje diçka për të ngrënë, biskota, shiteshin enkas dyqaneve, afroheshin, tundnin bishtin e madh e të bukur si të argjendtë, dilnin dhe në rrugë, vraponin poshtë veturave të ndalura, endeshin, ktheheshin pas, u ngjiteshin me vrull pemëve, një zot e di se ç’kërkonin.