Pushimet nga puna dhe ftesat gjyqësore për t’u korruptuar
(G)jykatësi dhe gjithë punonjësit e administratës publike janë të “detyruar” me vendime të Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë (KBGJL) që të korruptohen. Si ilustrim për këtë po kufizohem në vendimin nr.31 të KBGJL të vitit 2003, për të mos rikthyer në vendin e mëparshëm të punës ata që janë pushuar padrejtësisht nga puna. (...)
E para, vendimi e zhvesh drejtuesin administrativ nga tipari esencial që e dallon njeriun nga shtaza: e zhvesh nga arsyeja dhe përligjja. Drejtuesi i një institucioni publik si punëdhënës mund ta pushojë nga puna vartësin pa asnjë shkak të arsyeshëm dhe efektet (në dëm të taksapaguesve shqiptarë) e këtij vendimi respektohen nga Gjyqësori!
E dyta, ky përfundim nxirret nga kuptimi i gabuar që KBGJL ka pasur për kontratën: e gjithë ideja dhe koncepti shumë më i gjerë i kontratës është reduktuar në frazën sempliste se kontrata është rezultat i shprehjes së vullnetit të lirë të palëve. (...)
Duke e zhveshur drejtuesin publik nga esenca njerëzore, nga barra e arsyes, e ka reduktuar drejtuesin publik në shtazoren e njeriut. Reduktimi dhe përligjja e reduktimit të drejtuesve publik në shtazë na ka hequr mundësinë e krijimit të shtetit dhe të administratës publike, meqenëse deri sot shtazët nuk kanë mundur të krijojnë shoqëri, shtet, ligje pozitive dhe as administratë publike. Megjithatë, vendimi e bën “normë” juridike se drejtuesi publik nuk ka përgjegjësi të ketë arsye, as përligjje për vendimin që merr ndaj vartësve dhe pasojave që u sjell si njerëz. (...)