«"Shpirti" i dhespotit»
Dëgjomni Shqipëtarë T’u dëftenj një gjë të rallë, Ndë Shqipëri që ka ngjarë E ka mbetur si përrallë. Mos thoni se flasë fjalë të kota; Se çdo gjë a punë q’është bërë Del sheshit; se ashtu është bota Ç’dëgjon edhe sheh, e nxjerr të tërë. Pra, edhe kjo ç’u them unë Është fare e vërtetë, Se e panë edh’ e zunë E më s’është pun’ e mshehtë. Ish ndë qytet të Shqipërisë Një dhespot me mësime të mëdha, Qi kish ardhur ng’anët e Greqisë Që të na predikojë feja ç’ka. Ndër kishe kurdoherë që vinte Mbante fjalë, dhe këshilla jipte, Kurrë 'nonjëherë më vënt s’rinte Po gjith kështu besnikët i kripte: O vëllezër dëgjoni, U thosh me ëmbëlsirë, Besën mos e mohoni Se si këjo s’ka m’e mirë! Kjo na mëson ndë jetë Të rojmë të nderuar, Dhe pastaj Zoti vetë Na ka për të bekuar. Gjën’ e tjetrit kurrë mos lakmoni As sytë të mos i shtini mi ‘të, Po atë që kini të shëkoni Se pastaj kjo në mëkate u vë. Këto kështu ay duk’u thënë Vetvetëhen nuk e numuronte Po më nj’anë ng’ata e kish vënë; Se asnjeri ta pyesë s’kuxonte! Pa pyesni tashi uratën, Ay që këshillon të tjerët, Vallë ç’bën ditën edhe natën Kur nuk e shohin, si ndë t’errët? Këtë punë asnjë s’e dinte Përveç fatit q’ashtu e solli, Se me miken ay kur rinte Askujt mendja nuk’ ja polli, Ay që botën e mësonte Si të sillet e si të mbahet, Vet’ ay këto i punonte; Si një ujk deles që s’i ndahet. Ashtu pra një ditë kur po hante Bashkë me një mike bukuroshe, Mezin e saj me duar ja mbante Edh’ i shtrëngonte duart bardhoshe. Oh! ti je shpirti im! sa të dua Si ty më s’ka tjatër asgjëkundi Ti o shpirt, o pëllumb më do mua? Dhe si e puth, mjekrën e shkundi! Po atë çast për fat të keq Një djalosh qi jashtë ishte, Ndë një vërë syrin e ndreq E, pa uratën kur e çvishte! Haj o shpirt të rimë këtu Të lozim të dy, të qeshim I thosh urata, ja kështu Edhe valles t’ia ngjeshim!
. . . . . .
. . . . . .
. . . . . . Ish e Djelë. Shkolla kish provime Dhe parësia qe mbledhur atje, Mësonjësi i priste me nderime Gjithëve sa vinin brënda vënt u le. Ja dhe Dhespoti vjen duke qeshur Dhe mi një fron të lartë zë vënt, Parësin’ e mer si me të përqeshur Se ishin të paditur munt e pa mënt. Nisen provimet, djemt’ i pyesin Për çdo punë që ka dituria, Për njerinë a kafshët që vdesin Ç’bëhet shpirti q’u dha Perëndia. Më kot djemtë po përpiqen Që të përgjigjen si ç’duhet E nga robat gjith po hiqen. Kur, një, nd’hundë kruhet: Ç’ke ti, or djalosh, i thotë Mësonjësi me një çudi, Pse kthehesh ashtu si rotë Po s’thua gjëkafshë në di? Pra, thuaj, në di pa frikë Si është shpirti që kemi? Eja më pranë një çikë Që të dimë se ku jemi. «Unë di, thotë djali, m’emër të Zotit Se shpirti është një grua e çveshur, Se e pashë mi gjunjët të Dhespotit Kur ay i thoshte: o shpirt! duke qeshur!!» ASDREN
Reze djelli













