Shtëpia është universi i parë i jetës. Një univers ndjenjash, emocionesh, mendimesh dhe njerëzish. Vendi i shenjtë i unit dhe familjes, inkubatori i mendjes dhe shpirtit tonë, vendi ynë i sigurt për t'u rritur dhe ëndërruar, vëndi ku jemi formuar si individë. Si çdo univers aty krijohen lidhje të forta lumturie por dhe përplasje reaktive që shkaktojnë dhe dhimbje. Si një agregat unik i materiales dhe jomateriales, shtëpia është diçka e ndryshme për secilin prej nesh, por në të njëjtën kohë dhe e njëjtë. Në Shqipëri, shtëpia konsiderohet si një vend i shenjtë që konsolidon një lidhje të fortë midis individëve pjesë e një tradite të theksuar. Në të njëjtën kohë, ajo mund të shihet si tempulli i privatësisë ku adhurohet nocioni i familjes dhe "τα εν'οίκο. Μή εν δήμο" - ajo që ndodh brenda shtëpisë nuk duhet të dalë jashtë. Ky dyzim jo i zakontë i dha shtëpisë përfytyrimin e një kufiri fizik dhe emocional, dhe në të njëjtën kohë krijoi një barrë detyrimi ndaj saj. Personalisht, shtëpia shkon përtej arketipit të katër mureve dhe një çati, si mund të përkufizohej në termat strikt të disiplinës së arkitekturës. Ajo mishëron thelbin dhe qëllimin tonë thelbësor si njerëz. Shtëpia copëton dhe ri-përkufizon këtë stereotipin dhe shtrihet në hapësirë dhe kohë, pa kufijtë e një vendi dhe shteti. Si fëmijë i një familje emigrantësh shqiptarë në Greqi, shtëpia ime shtrihet përtej kufijve gjeografikë të secilit vend. Midis mitit, së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes, shtëpia është vendi ku të gjitha kulmet e shqisave dhe ne e përmbushim qëllimin tonë si njerëz, por edhe më shumë shtëpia është një gjendje shpirtërore e dhembshurisë, dashurisë dhe lumturisë. @creativemorning #cmhome #creativemornings https://www.instagram.com/p/CRT3IVvjC53/?utm_medium=tumblr