Sa vlere ka paraja per emigrantet?
Jam plotësisht i bindur që shumë njerëz anë e mbanë botës ‘emigrojnë’ sa në një vend e në një tjetër. Kjo ndodh sikur ka ndodhur me në shqiptarët, por dhe thjesht sepse puna e detyron një lëvizje të tillë, si për shembull, një aktor Anglez shpërngulet nga Anglia ne SHBA etj për tu bërë më i famshëm.
Por lëvizja jonë, në mënyra ilegale ka ndodhur dhe do ndodh, sepse Shqipëria nuk na ofron një jetë të mirë. Personalisht mendoj që të gjithë refugjatët largohen nga Shqipëria sepse në Shqipëri s’kanë para të mjaftueshme që të bëjnë një jetë përtej mbi jetesës. Kjo i bie që, gati gati, ne largohemi nga Shqipëria me idenë që të mbledhim një mal me para dhe pastaj të kthehemi përsëri në Shqipëri - pasi paraja është i vetmi faktor që na mungon ne si individ.
Por mbas stabilizimit në vendet larg Shqipërisë, pa pritur, fillojmë ti hapim sytë dhe të shohim që kemi gjetur më shumë se ç'farë kërkonim. Dhe pa pritur e kuptomë që paraja, ndoshta nuk është elementi i vetëm i dobishëm në jetë, me gjithë se ne po e kërkonim.
Ne fillojmë të shohim që në Shqipëri na mungonte liria e veprimit. Një liri që nuk e kishim falë mentaliteti që kemi në Shqipëri. Një liri që shumë shpejt ne e kuptojmë që është e dobishme për një jetë të qetë; për një jetë ku ne të bëjmë veprime bazuar ne shijet tona personale dhe të mos mendojmë aq shumë se çfarë thonë ose mendojnë të tjerët. Pasi nëse ato ‘te tjerët’ do të kishin të njëjtën liri, atëherë as kush s'do mendonte se çfarë bëjnë të tjerët. Ose të paktën nuk do mendojmë se çfarë bëjnë të tjerët me një urrejtje, me qëllimin që të marrim vesh - ndër të tjerash - nëse iksi ose ipsiloni është i ndershëm apo jo.
E kam ven re që nëse ne Shqiptarët jetojmë larg Shqipërisë, ne nuk kemi dallim nga vend-lindësit, jemi të ‘edukuar’ dhe të lire. Mama ne momentin qe kthehemi në Shqipëri, sikur e kemi të lehtë të kthehemi një njerëz - nga do një herë - më injorant se injorantet.