[T]ë shtunë, kur vamë për gjah, të vrismim fazanë. Ka Papi një miknë e tij italan, të cilit na i kish shkrepur të hante mish pe fazani. Papi i kërkovi lejë italanit, që të më merrnin dhe mua e kështu u bë: unë timonë, ata çiftet – dhe u nismë!
Italani ishte shumë i lezetshmë, se na e bëri udhën të këndshme me rrëfimet e tij për indianët e Amerikës. Biseda mori udhë, ngaqë po kalomim nëpër një si xhungël, përtej të cilës ishnë kasollet e indianëve. Ama, unë u bëra kaqë në Amerikë, një indian nuk e kam parë! Vetëm ç’shohëm nëpër filma! Udha u bë më e bukur, kur Papi, që ka zbritur në këtë botë vetëm për të bërë pyetje, deshi të dinte, se kur dhe pe nga kanë ardhur indianët e Amerikës, në Amerikë! Xhani ia tha, që ata janë amerikanët e vërtetë, po janë si ata zotët e shtëpisë që odën e pritjes e kanë plot me miq e vetë nuk dalin se janë akoma në brekë!
Një udhishte e bukur, e shtruarë me asfalt të freskët, gjarpëronte dëpër një pyll, që të mbushte mushkërinë me erën e luleve të lartësive. Kurrizi i udhës ngrihej e ulej i vijëzuarë dhe pikëzuarë për bukuri. Një dorë e kujdesëshme i kish vënë tabellat e shpejtësisë së lejuarë e të paralajmërimeve. Me një llaf, ish nga ato udhë, që ke qejf ta ngasësh veturën përmbi to. Më të djathtë na dolli një tel shumë i lartë i ndërthurur. Kjo ishte shenja se arritmë. Po, ama, mund të kemi ecur përgjatë telave, nja njëzetë kilometra të mira, gjer në hyrje të rezervatit. Nuku kishnë të mbaruarë telat-o! Mezi arritmë te zyrat, ku do regjistroheshim e ku do paguamim për t’u futur në atë pyll gjuetie, pe afro tetëdhjetë hektarësh, i tëri i rrethuarë me rrjetë pe teli.
Xhani mori me vete edhe Papin dhe vanë që të regjistronin çiftet. Kishnë bërë ca pagesa për lejën e gjahut, për shpezët, ca taksa e bilmemera dhe më në fund erdhnë te unë. Më thanë t’i bija rrotull një hangari, ce maqina do rimorkionte kafaznë, i cili kishte brenda nja njëzet fazanë. E lidha kafazë pas xhipit dhe hymë thellë dëpër udhishtet e asfaltuara të xhunglës. Xhani bënte prova se si të qëllonte gjahun, kur makina ish në lëvizje e sipër. Nisi edhe Papi ta nxjerrë grykën e çiftes nga penxherka, po më parë bëri ca pyetje nga ato që nisnin me “lejohet…”
“Lejohet ta zbrazësh, kur je brenda në maqinë?”
T’ëmën e s’ëmës, thashë, dale mo, të pyes dhe unë! Unë e kisha për herë të parë. Papi kish qenë dhe herë të tjera e megjithatë s’të linte radhë.
“Të kujt janë këta fazanë?” pyeta Xhanin.
“Tanët,” tha Xhani. “I blemë. Njëzetepesë dollarë copën?”
E humba fare. Ndala maqinën dhe desha t’i zbraz të tëra pyetjet që kisha në kokë.
“E ku po i shpjemë ne, fazanët?!”
“Jepi-o, maqinës,” tha Papi në një pe atyre rasteve të rralla, kur ai dinte më shumë se unë. “Nuk e kupton, o? Po i shpjemë aty më thellë që t’i vrasëm.”
T’ëmën! Mbeta e s’po e mblidhja dot veten. Demek blemë fazanët, ata tashi ishin tanët dhe ne, në vend t’ia mbathmim në shtëpi me fazanë të gjallë, duhet t’i lëshomim aty dhe pastaj të mundoheshim t’i vrismim. Të vrarë ata bëheshin prapë tanët, të gjallë nuk të lejonin t’i nxirrje! Fazani që shpëtonte, i mbetej gjene atyre të rezervatit. Mëëë-në, gjueti pe lecke!
Xhipi u vu prapë mb’udhë.
“Po mirë o, pse nuk i vramë që aty te zyrat?” nuku kisha të ndalur unë.
“Po sëkur t’i vrasëm këtu, kështu siç i kemi, në kafaz?”
“Dëmtohet kafazi dhe na venë gjobën, që i kemi vrarë shpendët të pambrojtura. Kur t’i nxjerrëm nga kafazi e t’i lëshojmë, pastaj janë rregullat e lojës: ne do përpiqemi për t’i vrarë, ata do të përpiqen të mbeten gjallë. Kjo është lojë e ndershme.”
Hajde, rregulla, hajde! Hajde, ndershmëri, hajde! Sa bëmim ne këto muhabete, na kalovi e na dolli përpara një xhip tjatër, që tërhiqte pas ca lepura, të blerë. Për t’u vrarë dhe ata!
“Lepurat kushtojnë më shumë, apo jo Xhani?” e kish radhën Papka.
“Kjo s’ do mend,” ia bëri Xhani. “Po shikoni se mos vrisni donjë lepur të arratisur, tek u vjen përballë, nëpër ferrat tuaja!
“Pseeeee?!” ia bëmë unë e Papka me një gojë.
“Sepse,’ shpegovi Xhani me durim, “në regjistrat e rezervatit, ne nuku figurojmë që kemi paguarë për lepura.”
Ecmë e ca më thellë, lëshuamë fazanët dhe nismë gjuhetinë e shpifur: pam e pum! Qëllo Xhani e qëllo Papi! E shpunë numërin e fazanëve të vrarë gjer më shtatë. Fazanët e tjerë kishnë shpëtuarë. Ata si duket, rrinin pa lëvizur hiç, na përgjonin fshehur dëpër shkurret e pritnë ashtu, gjersa thyemë qafën ne.