Hakmarrja komuniste kundër Sarajeve të Pashallarëve në Berat
Agim Xh. Dëshnica
(N)jëra nga mëhallat e saj, afër lumit e përballë Shpiragut, njihej me emrin Sarajet. S’dihet as sot, sesi ato saraje madhështore të Omer Pashës me rojtarë e shërbyes të shumtë, u përfshinë nga flakët e një zjarri të madh dhe u kthyen në gërmadhë, brenda mureve të lartë. Në atë vend të braktisur me një portë të zymtë, nuk u ndërtua asnjë shtëpi. Askush nuk guxonte ta blinte atë tokë të mbuluar nga hithra e ferra, ku lëvrinin gjarpërinj e hardhuca. Gjyshet shamibardha pëshpërisnin, se atje, kur binte nata, shfaqeshin xhindet e bukura që endeshin si hije poshtë e lartë me veshje të bardha dhe hidhnin valle.(...)
Bahçeja u ngjante oazeve të përrallave arabe, me palma, kopshte, lulishte e zoq. Anës bahçesë nxitonte rrjedha e remës, që kthehej më sipër nga lumi me anën e një sfrati me trungje e degë drurësh, më vonë digë betoni. Deri në kohët e vona ai pellg i pastër, ku laheshin të rinjtë, quhej “te trarët.” (...)
Në një kënd të ngrohtë afër murit dukeshin zgjonjtë e bletëve. Në kohë pranvere e gjatë verës nëpër breg tej remës, vraponin fëmijtë e mëhallës me pipëzat e gajdat prej druri të njomë.Disa hidheshin “topçe” në remë dhe ndiqnin rosat. Ato zhyteshin nën ujë dhe shfaqeshun larg mbi sipërfaqe. Në freskinë e blerimit, tok me cicërimat e zoqëve, ndiheshin edhe xhi-xhi-të e gjinkallave në trungjet pemëve. Bletët, fluturat e pilivesat fluturonin lule më lule. Ndërkohë ndihej mërmërima e uturima nanuritëse e Osumit me ajrin e pastër nga kodrat përtej nën lartesitë e malit Shpirag, që shtrihej si i fjetur nën diell e re.
Disa foto të asaj shtëpie në prag të rrënimit rrëfejnë për hijeshinë e saj edhe në ditët e fundit të jetës. Një etnografe e vonuar në kërkim të veprave monumentale për studime shkencore, ashtu si policët që mbërrijnë disa orë pas krimit, gjeti nje rrafsh të pastruar nga mbeturinat e një ndërtese të shkatërruar nga një bombardim në kohë paqeje, edhe heshtje varri. (...) Pipëzat e gajdat prej druri të njomë të pranverës heshtin. Nuk ndihen as cicërimat e zogjëve, as krisma e kaposhit mbi degët e fikut në oborr, as kakarisja e pulave, as xhi-xhi-të e gjinkallave në trungje pemësh, as kërkëllima e çikrikut e llapashitja e krahëve të rosave në remë. Rema është diku nën themelet e shtëpive pa vlerë. Nuk fluturojnë më bletët e fluturat lule më lule, as pilivesat mbi ujë. Askush s’e merr me mend, se ku ndodhej ajo shtëpi zemër gjerë si vetë madhësia e bardhësia e saj. Në atë mëhallë të ngrohtë u rrafshuan, edhe shtëpitë e dijetarit e poetit Vexhi Buharaja, e mësuesve, tregtarëve dhe e zejtarëve të njohur në gjithë qytetin. Edhe shtëpia e vogël me oborr, por e këndëshme e pep Avdylit, që mblidhte gjarpërinj në Saraje edhe në remë, për barnatoret, shkollat dhe spitalet. Nuk dëgjohet më, as kambana nga Kulla e Sahatit e rrafshuar tok me çesmën, pranë xhamisë në lagjen Murat Çelepi, sipas vendimit zytar “Çlirimi”, në qytetin e shpallur MUZE.







