Rruga e "Fortuzit", "maternitet" i sportit shqiptar - Nga Bedri Alimehmeti
E cilësuam të tillë, sepse nga kjo rrugicë nëpër fushat e blerta të futbollit ndër vite kanë zbritur talentë të shumtë e të spikatur. Madje, bëhet fjalë për një listë të gjatë, mes të cilëve bien në sy futbollistë, që kanë veshur jo vetëm fanellën bardheblu të Tironës, të Partizanit e Dinamos, por edhe atë të ekipit kombëtar. Kështu duke renditur të parët kampionët e hershëm të Tironës së viteve 30-të si Maliq Petrela, Hasan Balla, Sllave Llambi e Foto Janku, lista vijon me Kostandin (Koç) Paci, Sedat Ohri, Masar Mëniku (Beliu), Miço, Aristidh e David Papadhopulli, Mario, Alfred e Edmond Ruço, Luigj (Bixhi) Bytyçi, Esad, Gani e Parid Beliu, Naim e Agron Balla, Ilia Llanga, Petrit Dedej, Sulë (Skënder) Mazreku, Astrit Ramadani, Jani e Romeo Rama, Fatos Daja, Ali (Liçe) Arbana, Kujtim Kika etj e deri tek më i fundit futbollist i kësaj rruge i talentuari Asion Daja, që këtë sezon po luan për Tironën. Aty në gurët e kalldrëmtë të kësaj rrugice, nëpër kopshtet e familjeve Beliu, Kika, Dedej etj., u mbrujt së pari talenti i këtyre djemve, që u zhvillua më tej nëpër oborret e këndet sportivë të shkollave “Luigj Gurakuqi” e “Kostandin Kristoforidhi”, për të shpërthyer më pas në fushën “Puna”, e më pas nëpër fushat e blerta të mbarë vendit, për ta na dhuruar emocione e kënaqsi pafund.
Fragment nga libri “Sportistët e rrugicave të Tironës” që Bedri Alimehmeti po bën gati për botim.
Rruga e “Fortuzit”, “maternitet” i sportit shqiptar
Rruga e “Fortuzit”, nuk diskutohet është ndër më të vjetrat e kryeqytetit. Mban emrin “Asim Vokshi”, por për nga shumëllojshmëria e sportistëve gjason me një “maternitet” të sportit më së shumti i atij bardheblu. Dhe me të drejtë, në të dy krahët e përzgjatimit të saj nëpër sheshet mes rrugicave, që derdhen tek ajo, në oborret e shkollave “10 Korriku” (sot gjimnazi “Sinan Tafaj”), gjimnazi “Sami Frashëri”, “Lidhja e Prizrenit”, “Migjeni” etj, u “kultivuan” ndër vite me dhjetra sportistë cilësorë, duke nisur nga themelimi i FK Tirana më 15 gusht 1920 e deri më sot.
Kopshti i Rukes, gjendej thuajse buzë përzgjatimit të saj ishte pronë e familjes së Ibrahim Fortuzit, i cili si edhe shumë tiranas e kishte lënë papunuar enkas atë copëz të bahçes, që çunat të mos i coptonin këmbët nëpër gurët e rrugicës. I thonin kopshti i Rukes, ngaqë për të në pjesën e punuar, ku mbilleshin zarzavate dhe kishte plot pemë kujdesej nënë Rukia, e shoqja e Ibrahim Fortuzit, të cilës çunat ë mëhallës shpesh kur e shihnin duke punuar, linin lojën dhe e ndihmonin, për të vaditur, capuar, shkundur manat, apo për të vjelur rrushin, fiqtë, kumbullat etj. Në kopshtin e Rukes, ku sot ngrihet një pallat shumëkatësh dhanë shenjat e para të talentit plot djem të rrugës së “Fortuzit”, që e ndan më dysh Bulevardin “Zog I” dhe e lidh atë me rrugët e “Durrësit”, “Mine Peza” dhe “Barikada”. Në gjatësinë e saj prej rreth 700 m, kanë dalë aq shumë sportistë cilësorë në fusha të ndryshme, sa ndoshta mund të bëhet fjalë për një rast unikal.
Vetëm futbollistë ekipit kombëtar kjo rrugë i ka dhënë pesë. Dhe kur themi pesë, saktësojmë se, bëhet fjalë për pesë yje dhe mendojmë se nuk e kemi tepruar, sepse faktikisht flitet për emra sugjestionues: Skënder Halili, Panajot Pano, Gani Merja, Blendi Nallbani dhe Indrit Fortuzi. Një “konstilacion” i vërtetë.
Në këtë rrugë, madje në “zemër” të saj kemi një “Dinasti Sportive”.
Banor i lashtë i kësaj rruge ku lindi dhe banoi për shumë vite deri sa ndërroi jetë ishte Besim Hamdiu (Qorri)-Selimi, gjyqtar i UEFA-s. Ai ishte njeriu që gjithë jetën ia kushtoi mirëmbajtjes së terreneve sportive, që në vitet ’30 të shekullit të kaluar në fushën e Shallvares dhe deri sa doli në pension në stadiumin “Qemal Stafa”. Ai ishte themeluesi i ekipit Rinia dhe nismëtar i bashkimit të dy skuadrave të njohura më 1942, Shpresa dhe Rrufeja, në një ekip të vetëm Shprefeja, që u bë “kombëtarja kuqezi” në përballjet me skuadrat italiane gjatë viteve 1942-1943. I biri i tij Nazimi, që u nda i ri nga jeta ishte futbollist mjaft i talentuar luajti për Tironën, Partizanin dhe Lokomotivën e Durrësit. Vera, e bija, ishte volejbolliste e shkëlqyer e Tironës dhe e ekipit kombëtar, pasuesja e njohur e shuteres së famshme Fahrie Hoti. Ajo e kishte lidhur jetën me Aurrel Verrinë, ish-futbollist i Tironës së viteve ’60. Margerita vajza e tyre ishte një nga basketbollistet më në zë të vendit, e cila për shumë vite u aktivizua me Tironën më pas edhe te Flamurtari i Vlorës.
Më tej në vijim të rrugës “Fortuzi” duke dalë në atë të “Durrësit” banoi për shumë vite Hysen Hysenaj, ish-futbollist i Vllaznisë së Shkodrës, atlet i gjithanshëm, sekretar i klubit Tirona, gjyqtar ndërkombëtar futbolli nga më të shquarit në vendin tonë. Kujtimi, i biri, futbollist i Tironës dhe më pas i ekipit të Kombinatit.
Aty, thuajse pranë familjes Hysenaj, ka banuar në kohën kur sapo kishte shpërthyer talenti i tij në ringun shqiptar edhe boksieri i njohur i Tironës, Lec Gjoni. Kurse ca më tej, Thanas Mitrushi, kuadër i njohur fiskulture, pedagog e trajner. Shkëlqeu si trajner në drejtimin e ekipit të volejbollit (femra) të Tironës, të cilin e shpalli disa herë kampion.
Veç të madhit Panajot Pano, futbollisti më i shquar shqiptar i të gjitha kohrave në familjen e Thoma Panos, këpuctarit mjeshtër duarartë, e cila për disa dekada ka banuar në këtë rrugë, një karrierë të pasur sportive ka patur edhe e motra e tij, Kaliroi Pano (Dhales), kampione kombëtare në hedhjen e shtizës, e cila më pas për vite me radhë qe mësuese e edukimit fizik.
“Dinastia Merja”
Fillimisht duhet skjaruar fakti që kjo familje në Tironë njihet me dy mbiemra. Atë të saktin Gjasula, me të cilin rezultojnë të regjistruar në dokumentat e zyrës civile, dhe Merja aq shumë të përdorur prej pjestarëve të saj edhe sot e kësaj dite. Gjithsesi pak rëndësi ka, tashmë ky fakt është i qartë për të gjithë. Ndërkohë duhet thënë se më parë se Ganiu, në futboll është dalluar i vëllai i tij më i madh Xhaferri, që ka luajtur me Tironën dhe me Luftëtarin. Kurse Ganiu së pari spikati si talent tek Tirona, madje që në kampionatin e vitit 1950, për të shpërthyer në vitin 1953 tek Partizani si një nga mesfushorët më të mirë të vendit. Ganiu shquhej sidomos për goditjet nga distanca, të cilat i realizonte në mënyrë të befasishme me një forcë goditëse të paparë. Me fanellën kuqezi të ekipit kombëtar luajti në disa takime ndërkombëtare. Në kampionatin e vitit 1958 u shpall futbollisti më i mirë. Me Partizanin fitoi tre tituj kampion, mban titullin “Mjeshtër i Merituar” dhe “Nderi i Sportit Shqiptar”. Skënder Halili, nipi i tyre padyshim, që është pjestar i kësaj “dinastie”, jo thjesht se ishte djali i motrës së tyre, por më së shumti ngaqë u rrit në gjirin e familjes Merja dhe u mëkua që së vogli nga dajot e tij Xhafa e Ganiu me dashuri të pakufishme e pasion të madh për futbollin, të cilin e interpretoj aq bukur në fushën e blertë. E madje, jo më kot në fillimet e shkëlqimit të talentit të tij u bë i njohur me mbiemrin e dajove Skënder Merja. Skënderi mban titujt: “Mjeshtër i Madh”, “Mjeshtër i Merituar”, “Nderi i Sportit Shqiptar” dhe “Mirënjohje e qytetit të Tironës”, fitues i tre titujve kampion me Dinamon (1960) dhe Tironën dy më 1964-1965 e 1965-1966. Me fanellën kuqezi të kombëtares zhvilloi nëntë takime. Për një arsye absurde, u dënua dhe nuk u lejua të luaj futboll. U nda nga jeta në vitin 1982 në moshë fare të re. Nga viti 2000 qendra stërvitore e futbollistëve të Tiranës, stadiumi i qytetit të nxënsave me një vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës mban emrin e tij “Skënder Halili”. Jurgeni, i nipi i Xhaferrit u rrit në Gjermani, ku ende i mitur pati emigruar me prindërit në vitin 1990, vijon të luaj ende edhe sot në Bundesligë. Fillimisht shkëlqeu si futbollist në radhët e Frajburgut.
Pak metra pasi kthen nga bulevardi “Zog I” dhe futesh në rrugën e “Fortuzit” gjendesh në përqendrimin e familjes së njohur tiranase Nallbani, që i ka dhënë sportit talentë në shumë disiplina.
“Dinastia Nallbani”
Shabani, i ati i portierit Blendi Nallbani, ka luajtur futboll me Tironën dhe me Dinamon e Shkodrës. Astriti ose “Xofi” siç njihet ka qenë portieri i Tironës, padyshin ndër më të dallkuarit. Mban titullin “Mjeshtër Sporti” dhe sot vijon të jetë pjestar i stafit teknik të skuadrës. Përgatitës i shkëlqyer portierësh tek bardheblutë që nga viti 1993. Madje, në këtë detyrë ka fituar shtatë tituj kampionë dhe disa kupa e superkupa të Shqipërisë. Blendi, padyshim një ndër “gardianët” më të shquar të portës në kampionatet tona. Ende pa i mbushuar 19 vjeç zbriti në “Uembi” në radhët e ekipit kombëtar. Mban titullin “Mjeshtër Sporti”, tetë herë kampion i vendit: një me Partizanin dhe shtatë tituj me Tironën, katër kupa e tre superkupa. Aktualisht është drejtor i klubit sportiv Studenti. Kurse Zyhdiu dhe Seiti, u shquan në vitet 60-të si atletë në pistat e vrapimeve.
Karshi përqendrimit të Nallbanëve në krahun tjetër të rrugës janë Fortuzët, një fis i tërë i njohur për traditat e tij qytetare.
Në radhët e kësaj “dinastie” shkëlqen e vezullon “Zogu”, Indrit Fortuzi. Futbollist ndër më të shquarit e topkëmbës shqiptare, “Topi i Artë” për vitin 2001. Dy herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë 2000-2001 me 30 gola dhe 2001-2002 me 24 gola. Ndonëse fillimet i pati me Dinamon, talenti i tij në “qilimin e blertë” shpërtheu fuqishmë me gjithë spektrin e ngjyrave të tij tek Tirana. Me fanellën bardheblu fitoi gjashtë tituj kampion i Shqipërisë dy kupa dhe një superkupë të Shqipërisë. Me fanellën kuqezi të kombtares, të cilën e veshi për herë të parë kur ishte vetëm 18 vjeç ka zhvilluar mbi 20 ndeshje. Ndërkohë ka luajtur edhe në kampionatin helen për ngjyrat e Apolon të Athinës e Iraklis të Selanikut. Veçmas të famshmit “Zog”, futbollistë kanë qenë edhe dy xhaxhallarët e Indritit, Ismaili (Moja) dhe Agroni.
Dhe vargu i sportistëve të kësaj rruge vijon më tej me emrat e Besim Beshirit, Gazmend Bahollit dhe Astrit Deliallisit, të gjithë futbollistë, që kanë luajtur me Tironën.
Mirush Deliallisi, pedagog dhe trajner i ekipit kombëtar të atletikës në garat e hedhjeve është një nga bonarët e hershëm të kësaj rruge. Nga Deliallisët ka spikatur në volejboll Manjola, në ekipin e Studentit.
Në rrugën “Fortuzi” ka banuar për disa kohë dhe familja e Neptun Bajkos, ish-futbollist i Partizanit, trajner i këtij ekipi dhe i skuadrës tonë kombëtare.
Shtëpia e Telat Agollit, babait të cirkut shqiptar tashmë merret si pikë referimi për të treguar, se ku banon: “Tek shtëpia Telat Agollit te rruga “Fortuzit”,- thonë, – aty e kemi shtëpinë”. Por, Telat Agolli nuk njihet vetëm si akrobat, “Artist i popullit”, por edhe si mundës kampion dhe peshëngritës rekordmen kombëtar. E bija e tij Luljeta, për shumë vite luajti basketboll me Tironën.
Banor i hershëm i kësaj rruge është ehde Metush Seferi, presidenti i parë i FK Tirana, pas viteve 90-të, biznes,meni i parë që iu afrua skuadrës bardheblu në momente tejet të vështira. ka qenë pikërisht viti 1993, kur skuadra atë sezon me shumë vështirësi kishte arritur të qëndronte në kategorinë e parë. Ishte pikërisht mbështetja financiare e Metush Seferit, ajo qe e ngriti ekipi e Tiranës sërish në elitën e futbollit shqiptar. Dhe në pesë vite të presidencës së Metush Seferit, skuadra fitoi tre tituj kampion radhazi: 1994-1995, 1995-1996 dhe 1996-1997 dhe dy Kupa të Shqipërisë: 1994 dhe 1996.
Në pikëtakimin e saj me bulevardin “Zog I” në një nga godinat e para, që u ngritën pas çlirimit jeton edhe sot Bujar Labinoti, sportist i gjithanshëm, trajner e kuadër drejtues, Në kohë të ndryshme ka drejtuar klubin e Korabit të Peshkopisë dhe Partizanin.
Kurse në krahun tjetër të bulevardit, ku vijon zgjatimi i saj për t’u bashkuar më pas me rrugën “Barikada” kishte përqendrimin e saj familja Caslli, që i ka dhënë sportit shqiptar
“Dinastia Caslli”
Një emër të nderuar Osman Caslli, apo “njeriu i sportit” siç njihet, sepse ushtroi futbollin, baskebollin, atletikën dhe peshëngritjen. Më pas Osmani u shqua si pedagog e trajner. Drejtoi ekipin e të rinjve të Tironës dhe Studentin e UT. Falë punës së tij mbi “qilimin e blertë” kanë zbritur mjaft emra të njohur të futbollit shqiptar. Shefqeti, i vëllai qe mundës e peshëngritës kampion, kurse më pas u bë gjyqtar i njohur i FIFA-s. Drejtoi me mjaft kopetencë e rigorozitet ndeshje shumë të rëndësishme për vite me radhë në kampionatet tona dhe në arenën ndërkombëtare. Eqeremi, vëllai më i vogël luajti futboll fillimisht me Tironën, me Dinamon dhe Erzenin e Shijakut.
Pranë familjes Caslli kemi familjen Reka, nga gjiri i së cilës ka dalë krijuesi e themeluesi i akrobacisë shqiptare Ismail Reka, njeriu që përgatiti me duart e tij me dhjetra talentë akrobatë, xhoglerë, ekuilibristë e klounë. Nga kjo familje u dallua si akrobat edhe Njaziu.
Fragment nga libri “Sportistët e rrugicave të Tironës”, që Bedri Alimehmeti po bën gati për botim
Publikohet për her t`par në faqen Tirona
Rruga e “Fortuzit”, “maternitet” i sportit shqiptar – Nga Bedri Alimehmeti was originally published on Tirona - Komuniteti Tironas Venaliu