Doktor Zamir Shefqet NDROQI
Zamir Shefqet NDROQI ka lindur në Tironë me 27 tetor 1947 në një familje intelektualësh. Mbaroi me diplomën ”shkëlqyeshëm”, fakultetin e mjekësisë të UT, më 1970.
Emërohet në Pukë, ku punoi mjek në repartin e patologjisë (1970-1973) dhe drejtor i spital-poliklinikës (1973-1979). Atje dallohet për punë të kualifikuar, të palodhur e të ndërgjegjshme, duke ngritur nivelin e organizimit mjekësor e shkencor. Merr pjesë në studime mbi problemet e mortalitetit infantil, pleuritet, meningitet tuberkulare, TBC, etj., konkluzionet e të cilave vlejtën për masat profilaktike e kurative. Nga viti 1979 e deri tani punon në Shërbimin e Neurologjisë të Spitalit Nr 5 të Tironës, sot QSUT ”Nënë Tereza”, duke kryer ndërkohë specializimin përkatës pasuniversitar (1980-1983). Ka kryer specializime të gjata edhe në Itali, Austri, Francë dhe Turqi.
Prej vitit 1992, Zamiri është shef i reanimacionit të neurologjisë, i vetmi në vendin tonë. Në këtë pozicion ai njihet edhe si njëri ndër neurologët më të shquar. Mbështetur në metoda dhe skema të reja të trajtimit të sëmundjeve cerebrovaskulare (infarkteve e hemorragjive cerebrale, hemorragjive subaraknoidale, keqformimeve arteriovenoze etj.) dhe sipas indikacioneve, me antiedemigjenë, antikoagulantë, ai e ka ngritur në nivel më të lartë shërbimin e veçantë e të rëndësishëm të neurologjisë. Ka kryer studime shkencore të vazhdueshme, të cilat i ka referuar në konferenca e sesione kombëtare dhe ndërkombëtare dhe i ka botuar në revistat mjekësore: “Buletini i shkencave mjekësore”, “Punime psikoneurologjike”, “Heart and Brain, Interactions” etj. Ndër to mund të përmenden punimet shumëvjeçare Ishemia cerebrale tranzitore”, “Sëmundjet e enëve të gjakut të trurit”, si:
Komplikacionet neurologjike të hipertensionit arterial”, “Hiperglicemitë dhe insultet cerebrale”, ”Çrregullimet e lëvizjeve me origjinë vaskulare”, Insultet cerebrale të moshave të reja”, “Diseksionet arteriale si shkak i insulteve cerebrale”, ”Insultet cerebrale gjatë gravidancës e puerperiumit në 30 raste”, ”Trombozat venoze cerebrale në 20 raste”, ”Prognoza e largët në 364 të sëmurë me ishemi cerebrale tranzitore” etj.. Ai është edhe
pedagog i jashtëm i fakultetit të mjekësisë të UT.
Në vitin 1992 mbron disertacionin ”Aspekte epidemiologjike, klinike dhe eksperimentale të ishemisë cerebrale tranzitore”, me 472 faqe, ku përmbidhen studimet e gjata në këtë fushë të sëmundjeve të enëve të gjakut të trurit, i cili si një monografi është shumë e vlefshme për mjekët në përgjithësi dhe neurologët në veçanti.
Një studim i veçantë i tij është depistimi pilot për isheminë cerebrale tranzitore dhe insultet cerebrale, i kryer për 5000 banorë të disa zonave urbane e rurale të Tironës, pa seleksion e “derë më derë”. Ky studim epidemiologjik, i realizuar për herë të parë, u bë me një metodologji moderne me shtrirje të gjerë, duke kërkuar edhe faktorët kërcënues dhe duke
ndërtuar hartën e plotë të situatës epidemiologjike të sëmundjes cerebro-vaskulare. Konkluzionet e tij kanë vlerë të madhe shkencore, me interes praktik e teorik. Ato tregojnë prevalencën e lartë të kësaj sëmundje tek ne (25%) ndër më të lartat në botë, që shkon paralel me atë të faktorëve kërcënues dhe me mostrajtimin e mirë të tyre. Prej këtij studimi nxirren konkluzione shumë të vlefshme për organizimin më të mirë të profilaksisë dhe të uljes së frekuencës së këtyre sëmundjeve vdekjeprurëse, invalidizuese e me kosto të lartë.
Në saje të nivelit të lartë shkencor e profesional dhe të studimeve të kryera prej tij, duke pasur parasysh situatën epidemiologjike, rritjen sasiore dhe cilësore të nevojave për ndihmë të të sëmurëve rëndë dhe shtimin e shpejtë të popullsisë, ai zgjeroi repartin e reanimacionit. Kjo masë mundësoi përballimin e të gjithë shtrimeve dhe trajtimin e plotë të shërbimit të
neurologjisë, deri në daljen e të sëmurëve urgjentë e rëndë nga spitali. Duke rikonstruktuar repartin, Zamiri, falë diagnostikimit të shpejtë dhe ekzaminimeve moderne, dhe siguruar nga mjekët reanimatorë, nga personeli tjetër dhe nga aparaturat e kohës, ngriti nivelin e ndihmës mjekësore.
Ai përgatit skemat e diagnostikimit e të trajtimit të të sëmurëve rëndë neurologjikë dhe, njëherazi, trajnon studentët, neurologët e reanimatorët. Merret, gjithashtu, me veprimtari shkencore-kërkimore dhe ka dhënë kontribut të njohur brenda e jashtë vendit në këtë fushë të rëndësishme të mjekësisë.
Ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore brenda e jashtë vendit si në Itali, Francë e Greqi.
Njeh gjuhët angleze, frënge, italiane dhe ruse.
Publikohet për her t`par në faqen Tirona
Doktor Zamir Shefqet NDROQI was originally published on Tirona - Komuniteti Tironas Venaliu