Haki Mehmet TAFAJ - Universiteti i Vjenës, Austri - Fakulteti i Ekonomisë
Kishtë lindur në Tironë më 23-1-1923 në atë familje vendase të njohur e nga më të mëdhatë. Po në këtë qytet, kreu edhe gjimnazin, prej nga për disa kohë punoi në Ministrinë e Punëve Botore.
Në muajt e parë të vitit 1944, Hakiu shkoi në Austri për të filluar studimet e larta, por që, nuk mundi t’i vazhdojë. Disa muaj pas mbarimit të luftës, kur ai u kthye në Shqipëri për të vizituar familjen e tij, diktatura komuniste e arrestoi, për shkak se me bindjet e tij nacionaliste, ai kishte qenë eksponent i rinisë së Ballit Kombëtar.
Me këto kushte, për Hakiun kishte nisur një tjetër jetë, meqë aspirata e tij për arsim të lartë ishte larguar përfundimisht prej tij. Gjykata Ushtarake, me vendimin. e saj nr. 48, datë 23-6-1945, i dha dënim me heqje të lirisë, masë të cilën e kreu deri në vitin 1954. Gjatë kësaj periudhë, i cilësuar nga miqtë e tij si njeri me qëndrim mjaft dinjitoz e korrekt, edhe ai, krahas intelektualëve të tjerë, u angazhua kryesisht me përkthime.
Me këto tipare mbeti Hakiu edhe pas lirimit nga burgu, kohë kur krijoi familjen e vet. Si njeri me botëkuptim të qartë mbi realitetet e jetës, ai pranoi sfidat e sistemit. Jetën e tij të rëndë, e kaloi jo vetëm në kushtet e vështira ekonomike, por sidomos në ato të paragjykimeve politike, të frymëzuara nga lufta e atëhershme e klasave. Ishte veçse një punëtor i thjeshtë,
madje në sektorët më të vështirë. Disa vite punoi në guroren e Linzës, pastaj edhe më gjatë, deri kur doli në pension, në kombinatin e materialeve të ndërtimit në Tironë. Kushtet e vështira të burgut dhe ngarkesat e rënda fizike kishin ndikuar ndjeshëm në shëndetin e tij. Ai vuajti gjatë nga sëmundja e mushkërive.
Megjithate, Hakiu arriti që, formimin intelektual dhe sidomos bindjet qytetare të tij t’i përçojë edhe te katër fëmijët e vet, të cilët, arsimin e tyre të lartë arritën t’a marrin vetëm pas vendosjes së demokracisë dhe atëherë kur Hakiu nuk ishte më; ai kishte vdekur në vitin 1987. Sot, të gjithë ata japin kontributin e tyre në institucione të ndryshme.
Haki Mehmet TAFAJ – Universiteti i Vjenës, Austri – Fakulteti i Ekonomisë was originally published on Tirona - Komuniteti Tironas Venaliu