Ashtu i rënë për tokë, nuk ndjente më shumë dhimbje sesa habi. Nuk shihte më asnjë pikë të horizontit. Bredhat e tjera i shihte nga poshtë dhe ata, nga poshtë-lart, dukeshin sikur të mos ishin të njëjtët. Kokën nuk e ulnin për ta parë të rrëzuar Bredhin Gjigand. Ndjente turp.
Nejse, i tha vetes, përsëri i ndjej lëngjet e bardha që më qarkullojnë në trup. Kështu i shtrirë ndjej më pak lodhje. Lartësi nuk kam më, por përsëri jam më i gjati ndër të gjithë bredhat këtu. Edhe era më zënka më pak. Ndjej butësinë e dëborës që ma mban trupin të njomë dhe të freskët. Nuk kuptoj vetëm se përse të gjithë ata që kishin zënë strehë te unë ikën me panik, ikën ketrat, zogjtë, edhe qukapiku i madh fluturoi larg. Punë e tyre. Tradhtarët!!!
Ndjeu se njerëzit që e kishin rrëzuar përtokë po e trajtonin me shumë kujdes, si një Princ të vërtetë. Ndjeu se krenaria e tij si Bredh Gjigant kishte nisur t’i rivinte më e fuqishme se kurrë. Qukapiku iku, edhe ketrat, edhe zogjtë, por ndihej njësoj si më parë, plot energji në trupin e tij. Aq më shumë që për të nuk po kujdeseshin kafshët ose gjallesat e pyllit, por vetë qeniet më të larta, ato që dalloheshin nga pemët sepse ecnin, ishin pemë që ecnin. Po i fshinin gjethet halore. I shkundën borën. E morën në krahë. Ashtu të shtrirë vertikalisht. (...)
Ndërkohë që mendonte se kishte gjetur lumturinë te pushteti, veshi i zuri një fjali që e shqetësoi fort: Fiki dritat (...). (...)