
seen from South Korea

seen from United States
seen from China
seen from United States

seen from United States
seen from China
seen from United States

seen from United Kingdom

seen from United States
seen from China
seen from United States
seen from Yemen
seen from Malaysia

seen from Russia

seen from United States
seen from United States
seen from United States

seen from United Kingdom

seen from Malaysia
seen from Germany
Më 7 prill 1939, vendi dhe kombi prej nesh mes fqinjëve më i adhuruari, italianët, e vunë shqiponjën tonë, si përmidis dy teheve thike, mes sëpatave të tyre (të Liktorit) dhe na burgosën me dekret pompoz mbretëror në perandorinë e tyre. Tashmë me emrin Albania thirrej vetëm një territor, por kurrë një shtet. Më 7 prill fashistët fqinjë na shndërruan në shprehje gjeografike. Për ta bërë të plotë këtë kthim mbrapsht në periudhën e para 28 nëntorit 1912, një tufë politikanësh harabela nga Tirana shkuan në Romë dhe plakushit trupxhuxh, monarkut italian Viktor Emanueli III, i vunë në kokën e tharë kurorën e shtathedhurit Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Ylli Polovina, 7 Prilli 1939 si poshtërsi
Prevezë, 10 korrik 1901
(...)
Në këtë orë flenë edhe doganierët turq, ndaj me t’i treguar pasaportën një gjendarmi zhelan e këmbëzbathur që shkon e vesh shpejt e shpejt setrën, duke harruar të hedhë në trup më parë këmishën, marr në zotërim, paqësisht, qytetin me kodakun tim, pi kafen e parë në një kafene që kutërbon era peshk të ndenjur dhe nderohem nga prania e insekteve të para shqiptare që më rrethojnë nga të katër anët – shpirtra po aq luftarakë sa edhe të lartpërmendurit palikarë të Ali Pashës.
(T)ë krijohet ndjesia sikur ndodhesh në një fshat të shkretë, duke qenë se regjimi turk dhe uria ia kanë kyçur gojën dhe e kanë bërë t’i hyjë lepuri në bark këtij populli të fortë, të përkorë dhe që kënaqet me pako gjë (tre të katërtat e misrit vijnë këtyre anëve nga Rumania, Rusia dhe Hungaria).
Përmes rruginave të rrëpirta marr të ngjitem te Xhamia e gjorë me portat e shkalafitura, hajatin e pluhurosur pas parmakëve jeshilë të brejtur nga krimbi. Përkundruall një rrapi të madh dhe nën të, një pus. Një plakë këmbëzbathur është duke nxjerrë ujë me një shtambë pa lëfyt. Dy a tre kalamaj kalojnë aty pari rrugës për në shkollë. Njëri syresh nxjerr nga xhepi një kore buke të tharë dhe i kërkon plakës t’ia njomë në shtambën e vet. Një shitës mollësh largohet duke thirrur: Milacalà! Shtalkat e shtëpizave turke shkërmoqen e bien copë-copë, suvatë janë si lëkura e lebrozëve dhe shkallinat si gojë padhëmbë. Një maçok i ngordhur kutërbon e qelb dynjanë në një pellgaçe pranë një oborri. Në kopshtijet e mbyllura aty-këtu të zë syri ndonjë rrukë, shegë e mëllagë të lulëzuar në ngjyrë të kuqe e trëndafili. Harabelat e rrapit cicërojnë me të madhe. (...)
Pasdite marr rrugën buzë detit që të shpije në Brisulla për te ullinjtë. Udha kalon poshtë kështjellës venedikase; pranë portës ende të shënjuar me dy luanë është një roje turke me një këpucë të vetme në këmbë; aty brenda, mes bedenave të një kullëze, feksin veglat prej tunxhi të një orkestre të sfilitur që spërdredh rropullitë ashtu si degët e ullinjve aty pranë. Kaloj portën në krye të njërës prej tri urave mbi hendek, e cila, tok me detin, mbyll mes dy ujërave qytetin e fortifikuar. Roja ka lënë pushkën në një cep dhe ndan vëllazërisht me një dhi të bardhë e qimekuqe kastravecin e sillës së vet.
Çezma me ujë të shkëlqyer – Brisulla në greqisht do të thotë burim i vogël – buron prej shkëmbit që gjendet në plazh, pranë detit, dhe pikërisht aty vijnë për të mbushur ujë gratë me amfora dhe gomerët e ngarkuar me fuçi. Më pas është një qimiter turk me një minare të vogël. Me të rënë dielli, në ujërat e detit të ngjyera në trëndafili, përmbi Prevezë ngrihet një hënë e madhe e verdhë që shtron mbi sipërfaqen e ujit një rrugë të praruar. Druri i ullirit është i stërmadh dhe në distancën midis barit dhe degëve të pemës depërton një dritë akuariumi që ndriçon trungjet e ashpër e gungaç. Të gjithë këta drunj shekullorë janë mbjellë dikur nga venedikasit. Në lirishtat e largëta togje grash turke të çliruara nga vellot janë ulur në rreth dhe kuvendojnë. Korbat tufa-tufa krrokasin në qiellin që sa vjen e zbehet. (...)
Ugo Ojetti, “Shqipëria – Udhëtim në Shqipërinë e vitit 1902”, (botimet “IDK”) Përkthyer nga Virgjil Muçi
Cicërima zogjsh në një qytet shqiptar ?! (...) Durrësi, që është plot me dallavere dhe mafiozlliqe, na qënka edhe plot me cicërima zogjsh. Duket si ëndërr, si kllapi. Më nxorri nga kllapia një taksixhi. Taksixhiu tha, Janë me miliona zogj që cicërijnë mbi këto dushqe. Erdhën para pesë viteve. Ndejtën 1 vit, dhe ikën. Vitin tjetër nuk erdhën. U bëmë merak, na mori malli, na ngriu gjaku. (...) Nga larg duken si harabela. Por trupin e kanë vija-vija si të zebrës. Na knaqin me cicërimat. Por e kanë një të keqe; na i mbulojnë makinat me glasa. Një kalimtar, Këta zogj vijnë nga Argjentina. Vijnë për të kullotur. Nuk shkojnë më larg se deri në Kavajë, e shumta deri në Rrogozhinë. (...) Disa cicërijnë e cicërijnë, domethënë këndojnë e këndojnë, deri sa bien në tokë të vdekur. (...) Tjetër kalimtar; Këta zogj, gjuhën e të cilëve unë nuk e kuptoj dhe as dua ta kuptoj përderisa një muzikë mund të shijohet edhe pa tekst, përveçse këndojnë shumë bukur, kanë një huq të çuditshëm infrastrukturor; (...) Një tip i lezeçëm që shet çikërrima mbi një tezgë; Këta zogj që cicërijnë kaq bukur vijnë nga an’ e anës për tu shumzuar, nga Izraeli, nga Jordania. Se çfarë qefi është të vish të shumzohesh në Shqipëri unë këtë nuk e di. (...) Një kambist; Këta zogj vijnë nga Australia. (...) Shqipëria është vend për dashuri zogjsh. Një djalosh; (...) I vetmi mall Bio që na ka mbetur në Shqipëri janë ky shesh, këta dushqe, kjo muzikë, këta mijëra zogj e miliona cicërima, këto miliarda glasa, domethënë hiçasgjë, prandaj do emigroj. Një mesoburrë që thotë se është durrsak denbabaden; Këta zogj shtegëtarë, cicërimat e të cilëve po i shijon zotrote nën këto dushqe, këta zogj paqësorë që fluturojnë pa u lodhur nga qielli në qiell, e dinë vetë kur vijnë, kur ikin, ku kullosin, sa cicërijnë, sa glasa bëjnë. E mira do ishte të kishin ikur zogj qiejsh e të ktheheshin njerëz toke. Fatkeqësisht nuk ndodhi kjo. Ndodhi tjetra. Ikën njerëz toke e po kthehen zogj qiejsh. Të kthehen si të duan. Vetëm të kthehen. Mundësisht të gjithë. Me sa më tepër cicërima. Me sa më pak glasa.
Edison Ypi, Zogj Qiejsh