Për komunistin Bertold Brecht, ata që janë kundër fashizmit, pa qenë kundër kapitalizmit, janë si njerëzit që dëshirojnë të hanë mishin e viçit, por që nuk mund të shohin me sytë e tyre gjakun e viçit të derdhur nga kasapi, prandaj ndihen të lehtësuar kur ky ua servir atë pasi i ka larë duart. Prandaj, thotë ai, pa zhdukur pronën private, si burim i të këqijave, herët apo vonë, do të na shfaqet fashizmi. Mirëpo, siç e kemi parë në kurrizin tonë, prona private e kthyer e tëra në pronë shtetërore, në emër të komunizmit, e menaxhuar nga partia-shtet prodhoi një dhunë e gjak edhe më të madh. Nisur nga këto përvoja, mund të themi se sistemi i kasapit që lan duart pasi ther viçin mund të quhet e keqja më e vogël, që ka mundur të ndërtojë deri më tani njerëzimi. Le ta quajmë ndryshe kapitalizëm me fytyrë njerëzore ku “të shfrytëzuarit” gëzojnë të drejta të organizohen në sindikata dhe të përfaqësohen nga parti politike të majta, të protestojnë, të kërkojnë politika sociale që u sigurojnë një minimum jetese të nevojshëm, arsim dhe shëndetësi falas, barazi përpara ligjit; ku promovohet arti e kultura kritike dhe mendimi ndryshe politik, ku ka zgjedhje të lira, ku prodhohen rrotacione që edhe kur rezultojnë se nuk sjellin ndryshim, përsëri i mbajnë njerëzit me shpresë.