“Radio Iliria…ose shtatë lëkurat e kavies”
“Radio Iliria”, drama e vënë në skenë nga Erand Sojli dhe Iris Sojli, u shfaq dje premierë në Teatrin Kombëtar
Kthimi pas në kohë, kur kjo e fundit është shkruar me plagët që ka lënë pas një sistem i pamëshirshëm si ai i diktaturës komuniste, kërkon kurajë. Kurajë, sepse ngacmon atë pjesë të kujtesës aspak poetike të një brezi që e ka jetuar me gjithë vuajtjet, persekutimet, përndjekjen, censurën e fjalës e bashkë me të kornizimin e jetës brenda një kuadrati si në një burg. “Radio Iliria…ose shtatë lëkurat e kavies”, drama që u shfaq premierë mbrëmë në Teatrin Kombëtar, e sjell këtë përmes aktorësh që janë ulur të bisedojnë me të persekutuar të diktaturës apo edhe me ish-punonjës të Sigurimit prej nga kanë mësuar për dhimbjen dhe metodat me të cilat shkaktohej ajo.
Aktorët, sipas Iris Sojlit, kanë takuar edhe punonjës të Sigurimit të Shtetit për të kuptuar më mirë metodat e përdoruara, për përndjekjen dhe hetimin e të dënuarve. Shpesh ata shpalleshin si kolaboracionistë, imperialistë, borgjezë dhe armiq të popullit dhe eventualisht ktheheshin në “kavie” të sistemit, torturoheshin në format më çnjerëzore dhe edhe nëse nuk vriteshin, liheshin në burg për vite të tëra.