Kompania ceke CEZ Shpërndarje, e akuzuar për skandale të rënda gjatë veprimtarisë së saj në Shqipëri, ka nisur sot ndërprerjen e energjisë elektrike për ujësjellësat që sipas saj janë debitorë. Duke sfiduar deklaratat e Ministrisë së Ekonomisë de nuk do të lejohet një kolaps që mund të shkaktojë ndalimi i furnizimit me ujë, CEZ ka nisur stakimin e energjisë për ujësjelësat. Ditën e sotme që në orët e mëngjesit është ndërprerë furnizimi për ndërmarrjet e ujësjellësave të qyteteve Durrës, Sarandë, Elbasan dhe Lac. Lajmi i djeshem – Ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto deklaroi se kompania CEZ nuk do të lejohet të shkaktojë kolaps në vend me ndërprerjen e energjisë për ujësjellësat. “Kjo nuk mund te ndodhë pasi detyrimet jane te tilla që kjo nuk mund të ndodhë.Energjia ndaj ujesjellesave nuk do te nderpritet, pasi kjo është me pasoja shumë të mëdha për qytetarët. Qeveria do të marrë masat ligjore që parashikohen për këtë rast”, tha Haxhinasto për Tch. Zoti Haxhinasto thotë se agjencitë në varësi të Qeverisë dhe Enti Rregullator po ndërmarrin të gjitha veprimet për të mos e lejuar ndërprerjen e energjisë tek ujësjellësat. “Të gjithë institucionet që merren me këtë cështje, duke nisur që nga Enti Rregullator, por gjithashtu edhe Ministria e Ekonomisë janë duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që këtu mos të ketë asnjë kosto për ujësjellësat në drejtim të furnizimit të tyre me ujë për qytetarët”, tha Haxhinasto. Kreu i Ekonomisë konfirmoi se një ditë më parë mes Qeverisë dhe CEZ ka patur negociata intensive, ku palët kanë pretendimet e tyre. “Së pari, gjëja më e rëndësishme është të vijojë realizimi i shërbimit të furnizimit të qytetarëve me energji, të enteve publike, të bizneseve me qëllim që të mos ketë asnjë lloj vakuumi në këtë lloj shërbimi kaq jetik për qytetarët, por edhe për ekonominë. Unë do të them që në procesin e negocimit shtrohen disa variante, skenarë për të rregulluar një marrëdhënie tashmë dihet që është problematike”, tha Haxhinasto. http://j.mp/XLridQ - (LajmiFundit.al)