E lypsit, që trokit nga dera në derë, diku ia falin ndoj send, diku i thotë zoja e shtëpisë: s’kam besa – dhe lypsi atëherë asht i butë, shkon tue mbajt mend këtë derë, me ardhë ndoj ditë tjetër.
Por at "zoti të dhashtë" lypsi s’e duron, s’don ta dëgjojë. Ai e din mirfilli se ç’do me thanë "zoti të dhasht'". Edhe atë, i cili përcjell me këto dy fjalë, ai fillon ta mnijë. Kurr ai s’i ka ndamë këto dy fjalë njenën nga tjetra. Kudo që dëgjon fjalën "zot", ai pa dashje ia shtonte atë "të dhashtë" dhe në tru të tij u krijonte diçka që s’kuptohet e që mnihet. Se ai ishte i sigurt se "zoti të dhashtë" do me thanë tallje.















