E Enjte 14 Tetor 2004
Faqe 17 - Aktualitet
tërbimi
“Kontroli po kryhet rregullisht, dy herë në ditë dhe situata duket më e mirë. Sot kanë ardhur vaksinat dhe nesër pritet që t’u bëhen nëntë personave të kafshuar nga qentë
MAMURRAS/ Mbërrijnë nga Tirana vaksinat. Ngordhësirat hidhen në lumë
Starton ekzekutimi i qenve
Një “rrugaç” në agoni kafshon punëtorin e komunales
Roland Nikolli
MAMURRAS
Pas mësymjes së qenve të tërbuar në të gjithë qytetin e Mamurrasit dhe plagosjes së 9 personave, gjatë gjithë natës ka vazhduar aksioni për eleminimin e tyre.
Policia e rendit dhe ajo bashkiake kanë arritur të vrasin vetëm 10 prej tyre, pasi ata nuk kanë gjetur lukuninë që vërshoi paraditen e së martës, në mes të Mamurrasit. Ndërkohë, nga Tiranë ka mbërritur në qytet një furnizim i madhe me vaksinat antitërbim për qytetarët e plagosur dhe persona të tjerë në rast nevoje.
Të plagosurit Ndërkohë që listës së gjatë të të kafshuarve nga qentë, i është shtuar dje dhe një person tjetër. Bëhet fjalë pikërisht për një punëtor të ndërmarrjes komunale të Mamurrasit, 45-vjeçarin Rrahman Pasha. Ai bashkë me kolegë të tjerë, po mblidhte qentë e vrarë gjatë natës nga policia për t’i hedhur më pas në plehrat e qytetit. Por, njëri prej kafshëve që nuk kishte ngordhur ende e ka kafshuar në dorë Pashën. Menjëherë, punëtori ka shkuar në ambulancën e Mamurrasit, ku i është nënshtruar ndërhyrjes së mjekëve. Sipas mjekut Nikoll Biba, edhe gjatë ditës së djeshme ka vijuar kontrolli i pacienteve të kafshuar nga qentë. “Kontroli po kryhet rregullisht, dy herë në ditë dhe situata duket më e mirë. Sot kanë ardhur vaksinat dhe nesër pritet që t’u bëhen nëntë personave të kafshuar nga qentë, për të shmangur ndonjë përkeqësim të gjendjes së tyre. Aktualisht u është bërë vetëm tetanozi dhe mjekimi i plagëve”. Nga ana e Drejtorisë së Bujqësisë së rrethit kanë shkuar në Mamurras tre veterinerë, të cilët pasi kanë marrë mostra nga trupi i qenve të vrarë, do të bëjnë ekzaminimin në laborator, nëse qentë janë të infektuar nga virusi i i tërbimit apo jo.
Vrasja e qenve Aksioni për vrasjen e qenve në qytetin e Mamurrasit ka nisur rreth orës 22.00 të mbrëmjes së martë, kur policia ka marrë edhe urdhërin nga ana e Bashkisë për eleminimin e qenve rrugaçë që lëviznin rrugëve të qytetit. Gjatë gjithë natës banorët kanë dëgjuar të shtënat dhe vetëm në mëngjes janë parë punonjësit e ndërmarrje së komunales që kanë nisur punën për grumbullimin e qenve të vrarë. Por, një tjetër problem është shfaqur këtë herë, pas atij të lëvizjeve të qenve rrugaçë nëpër qytet. Në vend që të groposen, kafshët e vrara janë hedhur në lumin Drojë, që kalon në afërsi të qytetit të Mamurrasit. Në këtë mënyrë po shfaqet dhe rreziku i përhapjes së sëmundjeve ngjitëse, pasi qentë po dekomozohen në hapësirë, ndërsa era e rëndë ka mbushur vendin. Më i rëndë bëhet ky problem, kur dihet që lumi Drojë, bashkë me mbeturinat që sjell qyteti derdhet në deti Adriatik. I njëjti shqetësim u ngrit disa javë më parë dhe në qytetin e Laçit, kur qentë e ekzekutuar gjatë natës hidheshin nëpër kazanët e mbeturinave të qytetit.
Shaqir Boshnjaku, 25 vjeç tregon si u bë për spital “Në fillim lehu një qen i vogël, pastaj m’u sul lukunia”
Shaqir Boshnjaku, 25 vjeç, është një ndër viktimat e sulmit të qenve paraditen e së martës. Ai thotë se vetëm disa punëtorë që ndodheshin aty pranë e kanë shpëtuar nga kafshimi i qenve, pasi dhe mund të kishte vdekur.
Ku ishit kur ju sulën qentë? Po vija nga ish-magazinat e tregtisë dhe isha nisur për në shtëpi. Rruga ishte e mbushur plot me qen dhe unë nuk kisha se si t’u shmangesha. Megjithëse në qytetin e Mamurrasit është bërë e zakontë që të ketë qen dhe kafshë të ndryshme me shumicë. Duke u nisur nga ky fakt, nuk e prisja se qentë mund të më sulmonin. Sapo hyra në mes grumbullit të kafshëve, një qen i vogël m’u sul i pari duke lehur e më pas vërshuan të tjerët. Nuk kisha se ç’të bëja, ku të mbrohesha, pasi filluan të më kafshonin. Thërrita për ndihmë dhe fatmirësisht në afërsi të rrugës ishte një grup punëtorësh, të cilët erdhën shumë shpejt dhe i qëlluan qentë me gurë, duke më shpëtuar ndoshta edhe nga vdekja.
Më pas si vepruat? Më kanë marrë dhe dërguar në urgjencën e qytetit të Mamurrasit, ku kam marrë vaksinën e tetanozit, pasi vaksina kundër tërbimit nuk kishin. Sot më kanë thënë që të vij nesër për të bërë vaksinën, pasi vaksina e tërbimit mund të bëhet deri në ditën e tridhjetë nga dita e kafshimit.
Keni patur dhimbje apo temperature? Kuptohet se kam patur si dhimbje, edhe temperaturë. Të ngulet një gjemb ferre e ke, e jo më të të kafshojnë qentë.
Më parë i keni patur frikë qentë? Jo, jo pasi me ta jemi rritur, në Mamurras ka me shumicë. Por tani që më ndodhi kjo gjë them se shteti duhet t’i vrasë ata.
Personat që u kafshun nga qentë e tërbuar
Çesena Katuçi, 35 vjeçe (në gjendje të rëndë)
Fatmir Rama, 37 vjeç
Pashke Medja, 52 vjeçe
Shaqir Boshnjaku, 25 vjeç
Silvana Sela , 32 vjeçe
Agim Laku, 32 vjeç
Prena Gjoni, 60 vjeçe
Fatmir Kurti , 22 vjeç
Mikel Cara, 21 vjeç
Rrahman Pasha, 45 vjeç









