E martë, 11 Tetor 2022
“Të gjitha gjërat e kanë një fund.”
Kam vendosur ta lë hapur këtë blog pasi ka kujtime, biseda dhe gjëra që për mua janë të paçmuara, por ky do të jetë posti im i fundit.
Nuk më bën zemra ta fshij edhe pse jam përpjekur për një kohë të gjatë. Është një poemë intime e kompozuar nga unë dhe e influencuar nga më të dashurit e mi, siluetat e të cilëve bashkë me mua kanë ngrirë në kohë. Këta njerëz apo kujtime nuk do doja që të humbnin kurrësesi, por sidoqoftë dua t’i lë të shkojnë. Nuk mund ti mbaj më pranë meje sepse me shkaktojnë dhimbje, nuk mund t’i kem pranë vetes sepse ende nuk kam mësuar si t’i dua pa i lënduar.
Sidoqoftë nëse dikur e has këtë blog..perpiqu të përfytyrosh se sa fort deshëm, sa shumë rendëm pas ‘kuptimit’ dhe sa shumë u ekzaltuam tek mendonim të gjenim lumturinë në kohën e munguar, shpesh herë duke u përhumbur deri në fundin e botës; Njëri sy, veshtrimi i të cilit mbeti gjithmone pas.
Përvecse ne formën e kombinimeve komplekse binare, ky blog virtual që tashmë ekziston dhe do të ekzistojë në oqeanin e pafundëm të cilin ne e krijojmë ndërkohë që e eksplorojmë, dikur do të derdhet edhe në botën reale. Rrugë që zbehen me kohën kanë për t’u rishkelur dhe nuancat do të rimishërohen, deri atëher—
***
Kjo nuk është lamtumirë e përjetshme. Ne nuk besojmë tek lamtumirat, por besojmë tek fillimet e reja. Ju e dini se ku të na gjeni:
Na gjeni nëpër shkallë, pyje të errëta, zona neutrale..portat e larta të lindjes së thellë ku u ngjizën magji më të lashta se vetë koha, na gjeni nëpër numra, netët e qyteteve ku makineria industriale lan mëkatet e festës që sapo mbaroi, nëpër libra, nëpër furra..të ardhme dystopike me ndërtesa gjysmë të pavdekura - gjysmë të përgjumura, plot arterie kacavjerrësesh elektronike, duke thurur komplote, medituar në ngjyrë vishnje e duke hedhur gjëegjëza - “Cili nga ne është vrasësi?”ose duke luajtur Strip Botticelli ose Bilardo Organesh në një bar me Jazz Jupiteri në fund të Universit.
Na gjeni nëpër ëndrra, aty ku kemi qenë gjithmonë..duke pritur.
< (One More Final) I love you! >
I yti përgjithmonë,
V.











