Je kaq e bukur... Sa bukuria jote më tremb. Uritur për ty. Etur për ty. Të përgjërohem: Fshihu! Bëhu e padukshme për çdokënd, e dukshme vetëm për mua. Mbulohu nga majat e gishtave deri te flokët me një vel të zi, të tejdukshëm, larushe nga psherëtimat argjend të hënës pranverore. Poret e tua, shpërhapin tinguj, bashkëtingëllore joshëse, fjalë mistike shqiptojnë, shpërthime të trëndafilta nga akti dashuror. Veli yt fryhet, vezullon ndajnatës mbi qytetin me bare të ndriçuar e taverna buzë detit. Dritëhedhësi i gjelbër ndriçon barnatoren e natës. Një rruzull i qelqtë në rrotullim të shpejtë shpalos peizazhet e tokës. I dehuri valavitet prej një suferine sjellë nga frymëmarrja e shtatit tënd. Mos ik! Mos shko! Je kaq lëndore, e pakapshme. Një dem i gurtë, kërceu në barin e thatë prej ballinës. Një grua e lakuriqtë, ngjit shkallët e drunjta me një legen ujëngrohtë. Avulli ia fsheh fytyrën. Lart, ajrit, një helikopter patrullues, gumëzhin nga një pikë e vagullt. Shpëto! Ty të kërkojnë. Fshihu sa më thellë përqafimit tim. Gëzofi i batanijes së kuqe që na mbulon, rritet pandalshëm. Bëhet arushë shtatzënë batanija. E nën arushën e kuqe duhemi pafundësisht, tej kohës, tej vdekjes, në të vetmin bashkim të përbotshëm. Je kaq e bukur... Sa bukuria jote më tremb. Uritur për ty. Etur për ty. Të përgjërohem: Fshihu! Janis Ricos Shqipërimi nga: Rielna Paja #janisricos #giannisritsos #yannisritsos #commetuesbelle #quantoseibella #greekpoetry #greekpoets #instagram #instadaily #poetry #worldpoetry https://www.instagram.com/p/COR_0Vqhk1c/?igshid=2891zr1u1a9b









