Së fundi më kanë tërhequr vëmendjen dy deklarata kontradiktore që vijnë nga opozita. E para, është një letër e kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila iu drejtua një numri ambasadorësh perëndimorë, me kërkesën e ngritjes së një komisioni ndërkombëtar për të zgjidhur çështjen e Shkodrës, së cilës iu përgjigj ambasadori austriak duke i thënë se jemi në vitin 2019 jo në vitin 1913. E dyta, ishte një deklaratë e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, sipas së cilës, problemet tona duhet t’i zgjidhim vetë, jo të na i zgjidhin ndërkombëtarët. Janë dy qëndrime që shprehin një moment të dyzuar të mendimit politik shqiptar që tregojnë se, në një anë, Shqipëria mbetet ende, siç thoshte Fishta në vitet 1913, si ai zogu në fole që pret të vijë ta kojë “nana Evropë” dhe, nga ana tjetër, nevojën për të dalë nga këta shpërgënj e për të fluturuar. Fatkeqësisht, për momentin, letra e Ademit është tregues i kulturës dominante politike, kurse thirrja e Bashës mund të konsiderohet si ndër cicërimat e para të zogut që kërkon të dalë nga foleja
Fatos Lubonja, Manipulo dhe korrupto ndërkombëtarët, që të shtypësh shqiptarët















