Po më tërheqin shumë disa nuanca kaq specifike të gegnishtes, që i gjej te librat e françeskanëve të mëdhenj që jetonin mbështetur në trininë fe, atme dhe kulturë, sidomos kur ato përshkruajnë botën e maleve, atë botë ku unë kam lindur dhe kam jetuar fëmijërinë. Në ato male ka pasur besëtytni të vjetra sa njeriu, ja një shembull: besa me gjarprin, (tokësin). Me më të parin gjarpër që ndeshesh ndër ditët e para të pranverës, duhet me lidhë besë me të, duke thënë këto fjalë: “Tokës, po lidhim besë ndër veti, ti mos me më nxanë mue e as kurrnji rob shpijet e unë kurdo që të të ndeshi ty mos me të mbytë.”. Kostari, para se të shtijë kosën në livadh, do t’u flasë tokësave këto fjalë: “Në kjosh tokës kund në këtë livadh prapou, sa të kositi barin se kem besë ndër vedi.”. Por, nëse lexojmë në një roman (të ardhshëm!) fjalët e një personazhi të tillë, që lidhe besë me gjarprin, kjo mund të shihet si realizëm magjik, por në të vërtetë është mitologji e maleve shqiptare, e kohëve më të lashta të paganizmit iliro-trak.
Granit Zela, (Mbijetojnë vetëm historitë)






