1.
Kur qeveria e re e nisi punën me botimin e disa fotove-imazh që dëshmonin gjendjen e punëve në disa nga institucionet e qeverisë që iku, shumëkush e interpretoi këtë si një pasion të Kryeministrit të ri për t’i dëshmuar publikut estetikën e qeverisjes së re. Kjo përshtypje u përforcua pas aksionit për risistemimin e disa godinave të rëndësishme të shtetit. Me këto veprime , gjithsesi, Kryeministri lëshoi mesazhin se qeveria e re kishte filluar pastrimin e bodrumeve të qeverisjes së vjetër. Kishte në këtë veprim një simbolikë: Paralelja me historinë e stallave të Avgjisë, për pastrimin e pisllëkut tridhjetëvjeçar të të cilave Herkuli, i caktuar prej Mbretit, u detyrua të devijonte dy lumenj të rrëmbyer. Por veprimet e mëtejshme qeverisëse shkuan përtej simbolikës. Ato u bënë pararendëse e disa reformave të rëndësishme të qeverisjes, të cilat prekën sektorë që gjatë 24 viteve tranzicion, ishin trajtuar si të paprekshëm. Në këtë mënyrë, qeveria e re duket se u kujdes që pastrimit prej saj të “Haureve të Avgjisë”, t’i japë një përmbajtje të dyfishtë, dukë përfshirë në të jo vetëm estetikën dhe artin e qeverisjes, por edhe reformat e disa sektorëve jetikë për të ardhmen e kombit.