Nëpër Gjakovë për të kushedisatën herë më ranë në sy tabelat e shitoreve: barnatore, mishtore…
Megjithëse e dija, kur mbërrina në Tiranë hapa Fjalorin e Shqipes së Sotme, botim i akademisë së shkencave i vitit 2002, “botim i dytë i ripunuar”.
Emri mishtore mungon fare aty. Ka gjithfarë fjalësh me mish, por mishtore jo. Vetëm një mbiemër, mishtore, në kuptimin i tultë, të cilin e ilustron me togfjalëshin buzë mishtore. Ka edhe një mbiemër tjetër, thuajse i padëgjuar, i mishtormë, sinonimi të parit. Mishtore si emër, kurrkund.
Po mishtar? Kjo fjalë është në atë fjalor. Veçse me hije. Me një “vulë” si numrat që u vinin të burgosurve, duke i djegur në mish. Para se me dhanë shtjellimin “Ai që ther e shet mish, kasap”, pas fjalës mishtar shkruan vjet. Domethënë fjalë e vjetëruar,(...)
Shpresa e fundit: fjalori më i ri i akademisë, Fjalor i Gjuhës Shqipe, botuar më 2006. Po, shihet se akademia s’ka ndenjur në vend, ka hedhur hapa, veçse… bythëprapë. S’ka më as mishtar, ai është fshirë, bashkë me mishtoren që e kishin rrafshuar dy fjalorët paraardhës. Kasapi jo, si mund të preket kasapi? Kasapi ka dalë fitimtar. Jam këtu qysh në kohë të turkut, e di që më doni më shumë se mishtarin e mishtoren tuaj.
Për emrin mishtar dihen dy të dhëna (fakte):
Emri mishtar ka hyrë në letërsinë kombëtare, edhe te autorë elitarë si Ndre Mjeda. Në poemën madhore Liria, shkruan: “Porsi berre qi bleu mishtari, vemi/ Mbas shkopit…”. (...)











