Ka ende disa rrugica në Tiranë…
Ende ka në Tiranë rrugica të ngushta me kalldrëm dhe shtëpi të ulëta anëve, të cilat çdokush i ndërtoi sipas trilleve të veta arkitekturore. Muret rrethues prej qerpiçi të oborreve janë të lyer me gëlqere lëbyrëse dhe, përsipër i mbrojnë nga rrebeshet e shirave tjegullat me myshk dhe me një bimësi të çuditshme si e shkretëtirave, ku rrëshqet ndonjë mace syndezur, apo ku çukit ndonjë gjel i fryrë pendëkuq si prush i dafurruar…
Nëpër telat e shtyllave elektrike që pingulen përgjatë rrugicave, ngecin ende balonat e kalamajve si re të harruara dhe, mblidhen në çastin e mbërritjes, apo të shtegtimit dallëndyshet e hareshme, për të cilat, krahasimi me notat muzikore është aq i gjetur dhe i bukur sa, kot të përpiqesh të gjesh një tjetër.
Po çatitë? Të purpurta dhe të pjerrëta, me tjegullat që valëzojnë e valëzojnë, aq sa po ta përqendrosh vështrimin, të merren mendtë, ato humbasin skajeve pas degëve të shtrira të pemëve, duke të nxitur plot fantazi të përfytyrosh vatrat e ngrohta, dhe odat gjithë lajle e lule të nënave të reja, me gjinj të gufuar…
Pastaj çezmat në oborr që rrjedhin pa pushim dhe çelin në ajër ylbere, fiqtë e lashtë më tutje, që i çukit bengu i pakapshëm dhe i artë si prej dielli dhe hurmat që mbeten deri në dhjetor majë drurëve të zhveshur dhe të nxirë, dhe duken në sfondin e gushëpëllumbtë të qiellit si një konstelacion që i është afruar tokës! Pastaj lulet e kumbullave dhe të bajameve që hidhen jashtë avllisë si dallgët përtej bregut…
(T)e porta, apo te një kafene,i përmbytur nga rakia, apo tek të rreh diku gjoksin puhiza, të tjerë vargje, këtë herë më festivë, të shpërthejnë papërmbajtshëm:
Se ç’këndonin shtatë bylbyla;
Këndonin dhe bënin verë…
(...)
Ende ka në Tiranë rrugica të paprekura …
Në perëndim, gurët radhë – radhë të kalldrëmeve përskuqin si rubinët e një shege të hapur nga ekstaza e ëmbëlsisë, pemët bëhen hije dhe zogjtë flenë (...).
(...)
Unë, që e kam kaluar fëmijërinë në një rrugicë tiranase, futem herë pas here midis tyre . Vetëm.
(S)i ishin tashmë ata, kalamajtë e rrugicave? Harroheshin ende, si ne dikur pas pëllumbave që i ngrinim në qiell dhe shkriheshim gazit, kur ia rrëmbenim njeri – tjetrit? A hipnin edhe ata majë pemëve, a i hanin frutat drejt e nga degët dhe, a i shihnin foletë e lejlekëve, të turtujve dhe të trishtilave fare nga afër?
(...)
Jo dhe, jo!
Këto rrugica tashmë janë rrethuar rreptësisht nga pallatet e stërmëdhenj prej hekuri dhe betoni dhe, makinat pa fund turren gjithë histeri, a thua se i ndjek pas një monstër e frikshme jashtëtokësore.
(...)
Konstandin Dhamo














