(...)Fëmijët dhe të rinjtë nga mungesa e përvojës dhe fryma rebele që i karakterizon këto mosha, janë një pre e lehtë për djallin. Mjetet që përdor djalli janë të shumta dhe sidomos ato vizuale. Ai e di se njeriu me anë të shikimit merr 80% të informacionit, këtu ai bën të gjitha përpjekjet që me anë të ikonave të tij të stamposet në subkoshiencën e fëmijëve dhe të pranohet prej tyre si “mik'”. Sot fëmijët bombardohen nga mëngjesi në darkë me personazhe diabolikë, që nuk janë gjë tjetër veçse fytyra të ndryshme të djallit.
Nëpërmjet filmave të animuar, personazhet si dragonj ose (dragon ball), zanat, (winx-at), Pitter Pan, Gogu, etj. Në qoftë se ne do të sqarojmë me pak fjalë se çfarë përmbajtjeje fshehin këta persona, të gjithë do të bindeni se fëmijët tanë janë duke parë dhe admiruar djallin çdo ditë nëpërmjet televizionit, që Shën Kozmai i Etolisë (1779) e profetizoi si “kutia” nga e cila djalli do flasë nga shtëpitë tona.
Dragoi është simbol i lashtë mitologjik i përdorur nga babilonezët, grekët, është një simbol për diellin ose dijen e fshehtë. Tek egjiptasit dragoi ose gjarpri ishte simbol i Osirisit (zot i vdekjes dhe i errësirës), i botës së nëndheshme dhe i të vdekurve. Në Bibël dragoi është personifikim i djallit: “…dragoi i madh, gjarpri që quhet djall, ngadhënjyesi i botës u hodh poshtë”. (Zbu. 12:9)
Zanat/shtojzovallet janë figurë mitologjike sidomos në Ballkan, rrinë nëpër ujëra dhe pyje, kanë fuqi magjike të bëjnë mirë ose të murosin, brirët e dhive janë mbrojtja dhe dobësi e zanave, ato janë dhe simbol i pjellorisë, prandaj nga kjo vjen dhe etimologjia e fjalës shtatë-zane (trup i bukur). Edhe zanat pasi duken të bukura dhe tërheqëse, në thelb janë djalli, demoni, transformuar si një engjëll drite, i cili rri në ujëra dhe vende të shkreta, ka për simbol të rebelimit të tij brirët e cjapit (Bafometi) dhe tundon njeriun në dëshirat seksuale, ashtu siç na thuhet edhe tek Zanafilla: “…bijtë e Perëndisë (engjëjt e rënë), kur i panë bijat e njerëzve se ishin të bukura, zunë t’i marrin për gra të gjitha ato që u pëlqenin”.(Zan. 6:2).
Piter Pan-i po ashtu një personazh shumë i dashur për fëmijët, është perëndia e pyjeve me këmbë dhe me thundra të çara si të cjapit, me brirë dhe mjekër. (...)