Migjeni dhe Umberto Eco themelojnë një media
Më 1935, 80 vjet më parë shkrimtari shqiptar Migjeni shkroi një skicë eseistike të quajtur “Programi i një reviste”.
Është hera e parë që në historinë e letrave shqipe trajtohej një motiv i tillë i modernitetit që lidhet me lirinë reale, ose konvencionale të shtypit dhe të mediave. Ky motiv sot është tepër këlthitës dhe aktual.
Në skicën migjeniane janë disa intelekualë (pa emër), të cilët duan të bëjnë një revistë. Por duan që revista të jetë kinse e pavarur nga politika.
Mënyra se si është shkruar kjo skicë të kujton një parabolë ironike.
Ndër të tjera ja ç’thuhet në të:
– Jo! Jemi dakord. Se politika s’ka një themel të shëndoshë, s’ka ligj, s’ka rregulla, s’ka kllef. Madje, s’ka as moral – ia shtoi një redaktor moralist, tue i shikue kolegët përmbi syza.
Ky redaktor, asaj dite për drekë, në vend të bukës, pahiri, futi në gojë një cep të librit “Morali fetar” dhe, kur pa se nuk shkon, e pështyni. Mirëpo zotnia kishte te shtëpia fëmijtë; e fëmijtë, si thotë pedagogjia moderne, janë majmuna, prandej, kur e panë t’anë tue pshtye, ia nisën dhe ata fuj-fuj-fuj!
– Politika është një kameleon, i cili – dihet – simbas vendit ku gjendet, merr dhe ngjyrën. Të mendojmë se kameleoni gjendet mbi një shkrep dhe, natyrisht, merr ngjyrën e shkrepit. Të dëftojnë me gisht deh ti mezi dallon nga shkrepi. Lëshohe turravrap me e xanë, por kthehe me trofej në ballë, si me pasë qenë në Luftën e Trojës. Balli yt asht bamë dhe një herë ma i madh në të përpjekun me shkrepin. Se kameleonin tash e ke, tash s’e ke. Të iku.
– Qe një definicioni i politikës, po qe se mund të ketë politika definicion, – tha një tjetër redaktor.
– Politika s’hyn në program të revistës sonë!
– Jo! Jo! Përsritnë të gjithë redaktorët, tu e e pasë ende të freskët kujtimin e atij që donte me e xanë kameleonin. Asht e rrezikshme politika, – i përsëritshin shoqi-shojt tue ia pohue me krye.
– Mos harroni, zotni, se revista jonë do të jetë ideale!
– Do të ketë për qëllim arsimin dhe mbrojthen e atyne që nuk kanë mbrojtje! Do t’u fyejë në sy atyne që u kanë hye lecka.
– Do të zgjojë komtarizëm!
– Sidomos! Se ndërgjegja komtare flen, flen, e flen, duhet një katërdhetedysh…
– Psss! – e shutitnë folsin e pagdhendun, i cili ishte postaxhia e revistës.
Në fund të fundit, u përpilue program për një revistë ideale.
Dy pllakat të mbinatyrshme u ngjitën nëpër shtylla të qytetit, e disa prej tyne ua mbyllnë dritoret shtëpiave përdhecke dhe njerzët përmbrenda mbetën në terr…
Në një rrugë, kah përditë kalojshin katër mica, tre njerëz dhe ndoj gjel me pulë, n’at rrugë një viç u ndalue përpara pllakatës së kuqe e brinat i mbërtheu në shtyllë. Si shifet, ishte farefis me torot e Spanjës.
– Luftë! Luftë! – bërtisnin njerzit tue u mbledhë para një pllakate në rrugë kryesore. (Nga shkaku i Luftës Italo-Abisine, popullin e kish rrmbye psihoza lufarake). Mezi u gjet një gjysmë njeriu, gjysmë zotni që ta këndojë me za: Revistë ideale! – Uf, me halle, – ia priti një grue bubikofe dhe vazhdoi rrugën me hap ushtarak.
Mbasi populli nuk dinte të lexojë, revista ngeli pa u shitë.
E për botimin e numrit të dytë, nuk kishte të holla.
– Të kërkojmë subvencion! – vendosën redaktorët”.