(S)hkrimtarët, me sa duket, në çdo shekull kanë pasur një zë të brendshëm, mbrojtës. Zëri i brendshëm u sugjeronte që edhe personazhi negativ nuk duhet të jetë kurrë, të paktën zakonisht, një lloj njeriu i rëndomtë në gradën më të padurueshme, njëfarë legeni, siç i thonë në shqip.
Kështu që letërsia vetvetiu i jep njëfarë peshe ose kërkon t’i japë njëfarë peshe, ose atij i duket se duhet të ketë njëfarë peshe për të qenë i denjë për të hyrë në botën letrare, qoftë si personazh negativ. Kjo është shumë e vështirë për t’u studiuar dhe për t’u gjetur dhe shpeshherë studiuesit kanë kundërthënie me njëri-tjetrin.
Në një bisedë të habitshme që ka mbetur e regjistruar midis Mandelshtamit dhe Pasternakut, në kohën kur të dy shiheshin me sy të keq nga regjimi sovjetik, kishin këtë merak: Mos ne merremi shumë me këtë Stalinin, që Mandelshtami e quante “maloku i Kremlinit” në një nga poezitë e tij me këtë njeri koti? Ata donin t’i sugjeronin njëri-tjetrit që ndoshta ai nuk ishte fare kot sepse ato nuk merreshin me kotnira. Është shumë delikat si shqetësim.
Ata duan të sjellin disa çaste dinjitoze në jetën e Stalinit, që ta justifikojnë veten që janë marrë me një njeri me njëfarë peshe, për të thënë që nuk ishte fare një rronxho-bonxho, siç i themi ne. Donin t’i jepnin pak zemër vetes, që ne nuk merremi me milingona, me merimangë (...).