MOS NA I VRISNI PUSHTETARËT
Ekranet televizive emetojnë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, pa ndërprerje lajmet nga kronika e zezë dhe vendosja e tritolit, e shpeshherë edhe shpërthimi i tij, duket se është normalizuar. Pushtetarë nga qeveria e nga opozita bulurijnë si buaj të tërbuar për kërcënimet me jetë që paskan marrë dhe e gjitha kjo prodhon një frikë të madhe. Por viktimat e frikës nuk janë ata. I tremburi kryesor mbetet njeriu i zakonshëm, i mbërthyer në poltronën e tij në shtëpi apo në kafe, duke vështruar në ekran prestissimo-n e fugës së pushtetit e duke e ndjerë mbi supet e tij gjithë barrën e pafuqisë në një shtet që shfaqet si i kriminalizuar gjerë e thellë, një shtet ku siguritë jetësore nuk i paska të garantuara as deputeti më i pasur i parlamentit, e lëre më njerëzit e thjeshtë që nuk arrijnë dot të jenë as popull.
Sado interesante të duken paraqitjet e gazetarëve të kronikës që kanë përvetësuar aftësinë e paraqitjes së ngjarjeve në modelin e telenovelës “La Piovra”, vjen dita që lodhesh nga shëtitja e këtyre gazetarëve mendjerrafshët nga njëra studio në tjetrën, a thua se vërtet kanë diçka të rëndësishme për të thënë. Dhjetëra orë televizive në javë, qindra faqe gazetash, thjesht për të përshkruar ngjarjet që me një stil të thjeshtë deskriptiv do të mund të mbuloheshin me fare pak paragrafë. Por nuk ndodh kështu, sepse “kronika e zezë shet”. Gazetarët e kësaj rubrike janë korrierët, mediat janë udhët që e përcjellin frikën e prodhuar në fabrikat e Olimpit tek konsumatori final, i lartpërmenduri njeri i thjeshtë. Media jonë, me fare pak përjashtime, e përmbytur prej logjikës së “asaj që shet” i është dhënë e gjitha kronikës së zezë, thashethemeve rozë dhe analizës së verdhë, të cilat së bashku prodhojnë terrorin e bardhë te mendja e publikut.
(...)
Arbër Zaimi












