Nëse me të vërtetë te “Dranja” bëhet fjalë për një komponent simbolik, është e thjeshtë se Dranja- breshka shërben si simbol i vendasit, indigjenit, banorit autokton shqiptar dhe, për pasojë, duke veçuar te ky indigjen thjeshtësinë, modestinë, durimin, familjarizimin me natyrën, mospërshtatjen me civilizimin (në sensin e modernizmit), aftësinë për të mbijetuar.
[F]eminiliteti i Dranjes si efekt simbolik mbarëtekstual, jo thjesht lejon, por kërkon një destinacion për këtë feminilitet [...] ky destinacion është shfaqja dhe kërkesa e dëshirës për qënie të gjinisë tjetër, që, e shprehur në rrafshin formal, do të thotë se destinacion i simbolizmit është gjithsesi erotizmi.
Përforcohet edhe më kjo ndjellje e ndërsjellë mes erotizmit dhe simbolizmit edhe në një aspekt tjetër të tekstit ( që, madje, e paraprin erotizmin mes dy gjinive), që ka të bëjë jo thjesht me tërheqjen femër-mashkull, por me një dëshirë aseksuale për kontakt e afërsi mes breshkës dhe frymorëve të tjerë (dhisë, lopës, hardhucës, fluturës, gjinkallave). Kjo dëshirë është gjithsesi erotike, por sipas një mundësie tjetër të erotizmit: si një nostalgji për t’u shkrirë me botën, jo shpirtërisht-mistikisht, por sipas një “tendence laicizuese”, që karakterizon dëshirën femërore.
Rudian Zekthi, Erotizmi i “Dranjes”










