seen from Denmark
seen from Ukraine
seen from United States
seen from China
seen from Pakistan
seen from Malaysia
seen from Australia

seen from United States

seen from Russia
seen from United States

seen from Singapore
seen from Canada
seen from United States
seen from Algeria

seen from Russia
seen from Algeria

seen from Kazakhstan

seen from Jordan
seen from Japan

seen from South Africa
Shqiptarët në Greqi - reportazh i vitit 1912
Ç'ka haset më pak në Greqi, janë grekët; dhe ç'ka gjendet më shumë, janë shqiptarët. Jo më larg se tre kilometra nga Athina, ka fshatra të banuara tërësisht nga shqiptarët. Shtëpitë në ato anë janë të ndërtuara sipas stilit shqiptar, nëse do t'u njihnim një stil atyre ngrehinave të çuditshme. (...)
Megjithatë, jo të gjitha shtëpitë ortodokso-shqiptare janë fole të tilla fajkonjsh. Disa ngjasojnë me konakët e qyteteve dhe disa janë pothuaj konakë-haure, ku dalin e hyjnë paqësisht kope me qé e bagëti. (...)
(N)ë tregje (...) sheh të shpërthejë dukshëm sundimi i racës shqiptare ndaj racës helene. Tregjet janë të pushtuara nga shqiptarët. Vetë banorin e Greqisë e sheh të veshur me kostumin mjaft të errët të helenit bashkëkohor: qillota të zeza, kaftan i murrët, feste e kuqe apo e bardhë. Kurse shqiptari që zbret nga malet atërore për të shitur këtu prodhimet e veta, vishet me xhamadanin e shkëlqyeshëm gjithë mëndafshe e qendisma në fije ari dhe me qillota kadifeje gjithë ngjyra të shndritshme. Tek shet lëkurë kafshësh, vaj, kripë, dyll, lesh, mëndafsh, lin, e sheh shqiptarin të shpalosë gjoksin dhe në brez i duken dy pinjallë me doreza gjithë telish, që luajnë përgjithësisht një lojë shumë aktive në kësi takimesh. (...)
(S)hqiptarë që grinden dhe zihen në tregjet greke vijnë nga Veriu dhe nga Jugu i Shqipërisë. Në rastin e parë janë Gegë; në rastin e dytë janë Toskë. Por, si njëra palë dhe tjetra përfshihen brenda një tipi njerëzor. Gegu e ka mjekrën të dendur dhe sytë zioshë; Tosku e ka syrin të përhimë a kaltërosh, leshrat verdhane, vetullat e holla, gjoksin të dalë dhe fytyrën vezake. Gegë e Toskë, me të njëjtin zell, i dëgjon tek bërtasin në treg, gjithkush duke shpallur epërsinë e mallit të vet. Madje ka nga ata që e bëjnë reklamën edhe në mënyrë poetike, aq të denjë sa vetë rapsoditë homerike. "Hajde, mjaltë nga bletë punëtore që kullot në lëndina plot lule buzë detit me valë. Mjaltë më të shijshëm nga ky s'ka!" Është tregtari tosk që flet kështu. "Ç'thua, o i pacipë! – ia kthen aty për aty tregtari geg. – Na e paske ti më të mirë nga mjalti i bletëve që kullosin në malet tona të shenjta? Më mirë qepe, o byrazer, se ku mjalti tënd, ku i imi!". (...)
Dhe në përleshjen e tyre grykë më grykë, duke u shtyrë e duke u goditur, mjalti e njërit dhe i tjetrit bie përtokë dhe shkelet me këmbë. Shuhet kështu bashkërisht lavdia e bletëve malësore dhe e punëtoreve të zellshme të Bregut. Por, nëse ndonjë grek, lakmues e grabitës në çdo kohë i pasurisë së tjetrit, do orvatej të rrëmbente mbeturinat e ëmbëlsirave gatuar me mjaltë, në çast gegu e tosku, shqiptarë që të dy për nga raca, do bëhen bashkë kundër vjedhësve dhe nis atëhere një kasaphanë e vërtetë. (...)
(S)hqiptarët fushojnë jo larg mallit të tyre. Gatuajnë qullin e misërt dhe mishin me lëng, që ata e quajnë jahni, apo supën e peshkut; pasandaj shtrihen mbi abatë e tyre, bërruca me lesh dhije apo me lëkurë dhensh. (...)
(S)apo "agu me gishtërinjtë e tij të trëndafiltë flakron horizontin dhe ndriçon magjishëm" tregun dhe kampin e shqiptarëve ortodoksë, ata që nuk banojnë në Greqi, por që kanë ardhur nga Shqipëria për të shitur produktet, mbidhen në kor dhe ia nisin brokovalles, apo marshit ushtarak kombëtar i cili, edhe në vetë kohën e Skanderbegut, ishte tashmë i një lashtësie që nuk mbahet mend në rrjedhë të Historisë dhe që disa e çojnë gjer në kohë të Pirros. Kjo këngë, e shoqëruar me hapa të tillë që duken sikur po shpërthehet një sulm, dhe me gjeste nëpërmjet të cilave vringëllohen kamat e thikat, shkakton një efekt tmerrues. Ja ku shihen në pikë të agut tek shkojnë në treg fshatarë gjysmatarë të varfër, përkundur mbi kafshën e tyre të ngarkesës dhe pasuar nga produkti i tyre i blegtorisë. U shkojnë të dridhura nëpër trup tek ndjejnë nga larg britmat luftënxitëse. Një numër buajsh janë renditur në dalje të çifligut ku ndodhemi, gati për të marrë rrugën e tregut, ia japin të pëlliturit një pas një, me pamje të trishtë a kërcënuese. (...)
E teksa i lashti Febus-Apolon është lartuar në qiell, brokavallja tani është ndalur. Ata këngëtarë të zhurmshëm kokë më kokë e kanë përfunduar këngën dhe i sheh tani të mblidhen përreth keçit duke u pjekur në hell, që është në fakt o një dhi, o një dash, që shërbehet i tëri dhe copëtohet shkathtësisht nga thikaçët e shpejtë për të përfunduar në çast në stomakët e uritur pas mbarimit të brokovalles. (...)
Robert Dunier
Journal des Voyages, e diel, 21 korrik 1912.